Pas numrit të shtuar të zjarreve në shumë vende të Shqipërisë, qeveria ka nxjerr një VKM qarkulluese, pasi nuk mblidhet dot për shkak se shumicën e qeverisë, e ka LSI me ministrat teknikë.
Në VKM përcaktohen qartë ligjërisht detyrimet që kanë zjarrvënësit e pyjeve për të zbatuar, para se të ndezin zjarret dhe pas tyre.
VKM, mbi detyrimet e zjarrvënesve në pyjet shqiptare
Këshilli i Ministrave pasi analizoi situatën e nderë që është krijuar nga dhjetra qindra vatra zjarri në gjithë Shqipërinë, ka vendosur të marrë një sërë masash për parandalimin e tyre.
Për këtë, ajo ka bërë publike dhe detyrimet që kanë zjarrvënësit para kësaj situate.
Zjarrvënësi nuk mund të ndezë një pyll, në vende ku nuk kalon rruga automobilistike dhe nuk ka ujë afër.
Kjo, pasi nuk ka se si të shkojë zjarrfikësja në vendngjarje dhe nuk ka ku të mbushë ujë.
Ndezja e zjarreve në vende ku nuk kalon rruga, do të konsiderohet e qëllimshme dhe dënohet maksimalisht.
Zjarrvënësi nuk mund të ndezë zjarre në pyje ku ka shumë pemë të thata, bar të thatë, dhe pyje halore që marrin zjarr lehtë.
Kjo do ta rëndonte situatën, pasi zjarri do përhapej me shpejtësi dhe do të bënte kërdinë, pa shkuar zjarrfikësja.
Zjarrvënësit duhet të lajmërojnë menjëherë me telefon me numër të fshehur ndezjen e zjarrit, pavarësisht se e kanë venë vetë për qëllime të tyre.
Detyrimi për të lajmëruar policinë është detyrim ligjor dhe ata duhet ta zbatojnë.
Zjarrvënësi nuk mund të ndezë pyje afër zonave të banuara, kryesisht fshatra malore, por dhe zona urbane, siç qe rasti i Krastës në Elbasan.
Kjo do të ishte e rrezikshme dhe do të ndëshkohet rëndë.
Zjarrvënësi duhet të bëjë kujdes nëse shikon ndonjë arë me hashash në male, të mos ndezë zjarr, pasi bashkë me pyllin digjet dhe hashashi, dhe kjo ka efekte të rënda anësore tek zjarrfikësit.
Ata nuk fikin dot zjarrin se i zë tymi i hashashit, ndërkohë që zjarri zhduk dhe gjurmët e autorëve të mundshëm të tij.
Zjarrvënësi duhet të ndodhet në vendngjarje, kur shkojnë zyrtarë të lartë të shtetit, ose deputetë, dhe t’i ndihmojë atë si të përdorin mjetet rrethanore për fikjen e zjarrit.
Zjarrvënësi të kualifikohet për të orientuar avionët, ose helikopterët që fikin zjarret, se ku ta derdhin ujin.
Zjarrvënësi duhet të ketë aftësi të përdorë zjarrfikësen në rast se shoferi humbet ndjenjat, ose dëmtohet gjatë betejës.
Zjarrvënësi duhet të bashkëpunojë me organet e rendit, për të evidentuar zjarrvënësit e tjerë përveç vetes, për të gjetur se kush i djeg pyjet.
Zjarrvënësi që plotëson këto kritere duhet të dekorohet nga presidenti me urdhërin “Isuf Plloçi” të shkallës së parë