Kunati përgatit protestën për faljen e kamatvonesave të energjisë elektrike

2 Dhjetor 2015, 18:59Antena TEMA

Siç u njoftua sot, kryeministri Edi Rama, ka falur kamatvonesat për rreth 25 mijë familje shqiptare, të cilat ishin nën presionin e pafuqisë për të paguar kamatvonesën dhe si rrjedhojë po thellonin borxhin. Propozimi për falje ishte bërë dhe më parë nga PD dhe Kunati është i bindur që Edi Rama, jo vetëm ka kopjuar Lulin, por e ka bërë atë qëllimisht që të dëmtojë mitingun e 8 dhjetorit. Për këtë u ul dhe bëri një letër proteste ndaj vendimit të qeverisë:

“Të dashur demokratë!

Siç e patë, qeveria Rama, e cila kopjon përditë idetë tona, fali sot gjithë kamatvonesat e energjisë elektrike, për 25 mijë familje shqiptare. Plani i tij ogurzi rakordon fiks me votat që ai ka humbur më 21 Qershor, kur mori 100 mijë vota më pak se më 2013. Duke u falur kamatvonesat 25 mijë familjeve shumëzuar me katër vota mesatarisht, ai synon të rikuperojë votat e elektoratit të humbur dhe të shfryjë protestën e 8 Dhjetori.

Për këtë, Partia Demokratike do të bëjë protestat e saj publikisht, por në rrugë partie dua t’u komunikoj strategjinë tonë të re.

Tani e tutje do heqim dorë nga kritikat mbi qeverinë dhe sidomos do heqim dorë nga ideja se duhet t’i tregojmë çfarë duhet të bëjnë. Duke e këshilluar çfarë duhet të bëjë, ne në fakt, po e ndihmojmë atë. I kërkuam të ulte taksën e biznesit të vogël në 5 për qind, ajo e hoqi fare. Kërkuam të falen kamatvonesat, ai i hoqi fare. Kjo është një strategji që nuk funksionon, pasi ajo kërkon të shkatërrojë opozitën.

Ne jemi nisur nga parimi i Doktorit, që kryeministri nuk bën kurrë çfarë thotë opozita, por ky me sa duket na kapi në befasi dhe po na keqpërdor.

Opozita do përpiqet të rekomandojë masa drastike me shpresë se qeveria do t’i zbatojë. Kështu, do kërkojmë urgjent prishjen e koncesioneve të trashëguara nga qeveria Berisha, ndëshkimin e ministrave të korruptuar të PD, se kështu na hapen vende dhe në Kryesi, si dhe rritjen e taksave dhe tatimit mbi fitimin për koorporatat.

Opozita do heqë dorë nga protestat, përveç kësaj të 8 Dhjetorit me qëllim që të vërë në gjumë qeverinë dhe të zhytet më tej në rrugën e saj të gabuar.

Do t’u bëjmë thirrje atyre 25 mijë familjeve, që të mos ja quajnë për nder Edi Ramës, por Partisë Demokratike faljen e borxhit.

Do ngarkojmë zotin Enno Bozdo (me 2 n), të shpjegojë startegjinë e re të opozitës në popull, duke trokitur derë më derë.

Do ketë një videomesazh të përnatshëm nga Grigja, për ta bërë më të ëmbël dhe erotik strategjinë e re të opozitës. I juaji, Kunati”.

Pasi e përfundoi udhëzimin, ja nisi Rulit për t’i hedhur një sy dhe për të bërë ndonjë koment.

-Mirë e paske bërë djalo, e ke qarë. Kjo strategji ka dy të mira. E para që njerëzit e zhgënjyer nga Rama pse nuk dënon qeverinë Berisha, mund të na votojnë ne, dhe e dyta, Luli fiton pavarësinë nga Doktori. Shto dhe një rresht në fund, që votat e PS t’i quhen PD, dhe jemi në rregull, nuk kemi pse lodhemi më.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje